HISTORIA E KOSOVËS


Nga Mbretëria Dardane deri në dyndjet e popujve sllavë
Trualli i banuar sot nga shqiptarët, ku bën pjesë edhe territori i sotëm i Kosovës, filloi të popullohej shumë herët, që në epokën e paleolitit (koha e gurit të vjetër), mbi 100.000 vjet më parë. Në lashtësi, Kosova filloi të njihej si Dardaní (emërtim që u përdor herëpashere deri në shek. XIX; buron nga fjala shqipe dardhë për pemën e përhapur në trevat dardane) dhe banohej nga fisi ilir i dardanëve. Burimet historike përmendin Mbretërinë Dardane që në shek. IV p. K., e cila përfshinte Kosovën dhe hapësirat përreth. Mbretërit dardanë, prej të cilëve më të njohurit qenë Longari, Monuni dhe Batoja, zhvilluan luftëra kundër Maqedonisë së Vjetër dhe korrën fitore të mëdha. Njëherësh, ekzistojnë shënime për luftëra kundër keltëve. Dardania ishte e njohur për burimet e arit, teksa shkrime të lashta i përshkruajnë dardanët si prodhues cilësorë të stolive. Qytetet kryesore përfshinin Damastionin, Nishin, Shkupin, si dhe Ulpianën.

Dardania u pushtua nga Roma në fund të shek. I p.K. dhe i dha Perandorisë Romake disa prej perandorëve më të shquar, përfshirë këtu Konstandinin e Madh. Krishterimi u përhap në vend në fazat fillestare, ndërsa individë si Niketë Dardani shkruan himnet e para kishtare. Më pas, gjatë dyndjeve barbare mes shek. V dhe VIII, Dardania u kthye në vatër të sigurt për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës ilire si dhe trashëgimisë së popullsisë së romanizuar, duke mbetur pjesë e Perandorisë Romake të Lindjes ndryshe e njohur me emrin bizantine. Në shek. IX, Dardania u pushtua nga perandoria bullgare. Më vonë, iu kthye shkurtimisht bizantinëve, para pushtimit serb në fundin e shekullit XII. Në 100 vitet në vazhdim, serbët vendosën sundimin e tyre në Kosovë. Gjatë kësaj kohe, selia e Kishës Ortodokse Serbe u zhvendos në Pejë, ndërsa burimet natyrore mundësuan zgjerimin e mëtejshëm të shtetit serb. Me formimin e Perandorisë Serbe më 1346, Dardania u kthye në njësi qendrore gjeografike të shtetit serb. Ky fakt si dhe prania e ortodoksisë serbe në rajon janë përdorur si bazë për bindjen kulturore serbe se Kosova është "djep i qytetërimit serb."

Beteja e Fushë-Kosovës dhe sundimi osman
Më 1389, në Betejën e famshme të Kosovës, koalicioni ushtarak i krishterë, i përbërë nga serbë, shqiptarë, boshnjakë e hungarezë me në krye princin serb Lazar Hreblanoviqi, u mposht nga turqit osmanë, të cilët morën kontroll të plotë mbi territorin kosovar më 1455. Gjatë kësaj periudhe 1389-1455, disa prijësve serbë iu dha e drejta e sundimit si vasalë të sulltanit osman, i cili i përdori si vegla për shtypjen e lëvizjeve çlirimtare të popujve të Ballkanit. Në Betejën e Dytë të Kosovës, vasali turk Gjuragj Brankoviqi e pengoi prijësin shqiptar Gjergj Kastrioti të bashkohej me ushtrinë hungareze të Janosh Huniadit, i cili pësoi disfatë të rëndë.

Pushtimi i Kosovës ishte arritje e madhe për turqit, të cilët përfituan nga xehet kosovare një burim të sigurt financiar. Ngritja e institucioneve osmane në Kosovë solli një epokë të re, gjatë së cilës tatimi i rëndë në baza fetare dhe arsimimi i aristokracisë kosovare në shkollat osmane çoi në konvertimin masiv të popullatës së krishterë në islam. Feja e re e përqafuar nga afro dy të tretat e shqiptarëve dhe një pjesë e sllavëve, ndonëse solli përparime në status dhe mënjanoi rrezikun e asgjesimit, nuk e pengoi luftën kundër regjimit osman. Në sajë të sfidave të shumta që i sollën perandorisë, krahinat malore ruajtën një lloj të drejte për vetëqeverisje dhe iu lejua të zbatonin ligjin dokësor (kryesisht Kanunin e Lekë Dukagjinit). Megjithatë, shembuj të përpjekjeve osmane për t'a ndërprerë këtë praktikë ishin të shumta; trimëresha Nora e Kelmendit dallohet në historinë e Kosovës për vrasjen e udhëheqësit osman në Kosovë.

Gjatë periudhës osmane, pati një sërë përpjekjesh për promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Kleriku katolik që shkroi librin më të vjetër të njohur në gjuhën shqipe, Gjon Buzuku, besohet të ketë qenë me prejardhje kosovare. Po ashtu, peshkopi katolik Pjetër Bogdani, i lindur në Kosovë, botoi kryeveprën e tij Çeta e Profetëve më 1686 dhe më vonë i priu lëvizjes antiosmane. Angazhimi i tij në çështjen kombëtare kulmoi më 1689, kur krijoi ushtri prej 20 mijë luftëtarësh shqiptarë, të krishterë dhe myslimanë, të cilët iu bashkëngjitën austriakëve në luftë kundër Turqisë. Fushata përfundoi me çlirimin e përkohshëm të Kosovës, por pas murtajës së përhapur mes austriakësh e kosovarësh, turqit i rikthyen trojet e humbura. Vetë Bogdani vdiq nga murtaja në dhjetor 1689, ndërsa eshtrat e tij u nxorën me egërsi nga varri prej turqve dhe tartarëve dhe u përdorën si ushqim qensh. Disfata pati pasoja negative në mirëqenien e të gjithë banorëve të Kosovës, çlirimi i të cilëve nuk u arrit as në mësymjen austriake të shek. XVIII.

Lëvizja kombëtare shqiptare
Në vitet 1870, Perandoria Osmane kishte pësuar ngushtim të territorit dhe po shënonte humbje në luftëra kundër monarkive sllave të Evropës. Gjatë Luftës Ruso-Turke 1877-1878, trupat serbe pushtuan pjesën verilindore të trevës së Dardanisë, duke dëbuar 160 mijë shqiptarë nga 640 vendbanime. Veç kësaj, nënshkrimi i Traktatit të Shën Stefanit paralajmëroi fillimin e rrethanave të vështira për popullsinë shqiptare, trojet e së cilës do t'i kalonin nga Turqia Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Nga frika e copëtimit të viseve të banuara me shqiptarë në mes të mbretërive të sapoformuara ballkanike, shqiptarët themeluan Lidhjen e Prizrenit më 10 qershor 1878, tri ditë para fillimit të punimeve të Kongresit të Berlinit, ku fuqitë e mëdha do të rishikonin vendimet e Shën Stefanit. Ndonëse Lidhja fillimisht u formua me mbështetjen e sulltanit, i cili shpresonte të shpëtonte territoret osmane, udhëheqësit shqiptarë vepruan shpejt dhe me sukses e kthyen lidhjen në një organizatë dhe eventualisht në qeveri kombëtare. Lidhja pati mbështetjen e arbëreshëve të Italisë dhe luajti rolin e faktorit bashkues në mes të shqiptarëve të ndarë në tri fe. Gjatë tri viteve të aktivitetit të saj, Lidhja u angazhua për krijimit e një shteti autonom shqiptar brenda Perandorisë Osmane, ngriti ushtri dhe zhvilloi luftë mbrojtëse. Më 1881, një qeveri e përkohshme u formua për të qeverisur Shqipërinë nën kryesinë e Ymer Prizrenit, të ndihmuar nga ministra të shquar si Abdyl Frashëri dhe Sulejman Vokshi. Megjithatë, ndërhyrja ushtarake e shteteve ballkanike, Fuqitë e Mëdha, si dhe Turqia i ndanë forcat shqiptare në tri fronte duke sjellë fundin e Lidhjes.

Në Kosovë u themeluan dhe funksionuan edhe organizata tjera të lëvizjes kombëtare, më e rëndësishmja prej të cilave ishte Lidhja e Pejës, e formuar po aty më 1899 dhe e udhëhequr nga Haxhi Zeka, veteran i Lidhjes së Prizrenit. Me platformë të ngjashme me paraardhësen e saj dhe me kërkesë për Shqipëri autonome, Lidhja e Pejës u shtyp më 1900 pas një konflikti të armatosur me forcat osmane. Më 1902, Haxhi Zeka u vra nga një agjent serb i mbështetur nga autoritetet osmane.

Pavarësia e Shqipërisë dhe kolonizimi jugosllav
Lëvizja e xhonturqve në fillimshekullin XX fitoi përkrahjen e shqiptarëve, të cilët po shpresonin për përmirësimin e statusit të tyre kombëtar dhe njohjen e përdorimit të gjuhës së tyre në administratë dhe arsim. Më 1908, 20 mijë fshatarë të armatosur u mblodhën në Ferizaj për të ndalur çdo pushtim të huaj, ndërsa krerët e tyre, Bajram Curri dhe Isa Boletini, i dërguan telegram sulltanit për të kërkuar hartimin e një kushtetute dhe hapjen e parlamentit. Mirëpo, mosnjohja e të drejtave të premtuara nga turqit e rinj provokoi kryengritje tjetër nga malësorët shqiptarë në Kosovë në shkurt 1909.Armiqësia u shtua pas uzurpimit të qeverisë turke nga një grup oligarkësh vitin tjetër; në prill 1910, ushtritë e udhëhequra nga Idriz Seferi dhe Isa Boletini ngritën krye kundër hordhive turke, por përfundimisht u detyruan të tërhiqeshin pasi i kishin shkaktuar dëme të mëdha armikut.

 Në Shqipëri protestohet kundër terrorit jugosllav mbi popullin shqiptar

Kosova vijoi të luajë rol të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare shqiptare, sidomos gjatë Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912, kur luftëtarët shqiptarë çliruan pothuajse tërë vilajetin e Kosovës dhe marshuan ngadhënjimtarë në kryeqytetin e atëhershëm, Shkupin. Në këto kushte, Porta e Lartë osmane u akordua të njihte autonominë e shqiptarëve pa e njohur Shqipërinë si entitet politik, por menjëherë u tërhoq nga vendimi i marrë. Shpërthimi i Luftës Ballkanike dhe lojërat politike ua mohuan shqiptarëve përparësitë që u pritën nga fitorja e tyre ushtarake. Shtetet ballkanike, Serbia dhe Mali i Zi, pushtuan me ushtritë e tyre territorin e Kosovës, përkundër kundërshtimit të udhëheqësve shqiptarë dhe letrave në formë proteste dërguar Fuqive të Mëdha. Më 28 nëntor 1912, në Kuvendin Kombëtar të Vlorës që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, delegatët e Kosovës votuan pro-pavarësisë duke e njohur Kosovën si pjesë së tërësisë tokësore shqiptare. Isa Boletini ishte pjesëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Londrës, e cila nën presionin e madh të fuqive imperialiste—Rusisë dhe Francës—vendosi ta njohë pavarësinë e Shqipërisë me një territor vetëm sa një e treta e trojeve të banuara me shqiptarë. Territori i sotëm i Kosovës, i pushtuar nga Serbia dhe Mali i Zi, iu aneksua këtyre dy vendeve, të cilat ndoqën fushatë për shfarosjen e popullsisë shqiptare dhe kolonizimin e tokave të tyre.

Ndonëse shqiptarët luftuan përkrah forcave Aleate gjatë Luftës së Parë Botërore dhe fituan përkrahjen e presidentit paqedashës të SHBA-ve Woodrow Wilson, vendimet e Paqes së Versajës mundësuan ripushtimin e Kosovës nga Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, e quajtur më vonë Jugosllavi. Lëvizje ushtarake dhe politike u organizuan dhe shënuan suksese sporadike, pa arritur të çlironin trevat shqiptare në Jugosllavi. Prapëseprapë, kryengritja e Azem Galicës dhe Shotë Galicës, si dhe veprimtaria politike e Hasan Prishtinës dhe Hoxhë Kadri Prishtinës, i dhanë shtysë përpjekjeve të mëvonshme kundër zgjedhës së huaj. Regjimi monarkik jugosllav zhvillonte kundrejt shqiptarëve politikën e kolonizimit, të vijëzuar në dokumentet famëkeqe si Naçertanija (1844) dhe Shpërngulja e shqiptarëve (1938). Diplomati shqiptar Fan Noli e quajti politikën jugosllave ndaj shqiptarëve “Çpronësim, çpërngulje, çfarosje” në një artikull të tij botuar frëngjisht dhe shqip për opinionin ndërkombëtar, i cili në këtë periudhë u tregua i paaftë të ndalonte ngritjen e regjimeve fashiste në Evropë. Me qindra mijra shqiptarë u shpronësuan me dhunë dhe u detyruan që të deklarohen me etni turke, në mënyrë që të dërgoheshin në Turqi në bazë të marrëveshjeve për këmbim të popullsisë që ky vend kishte me shtetet ballkanike.

Me pushtimin e Mbretërisë së Jugosllavisë nga forcat e boshtit më 1941, Kosova mbeti e ndarë mes zonave gjermane, italiane dhe asaj bullgare. Megjithatë, pjesa më e madhe ra nën sundimin fashist italian i cili, për të legjitimuar pushtimin ushtarak të Shqipërisë dhe uzurpimin e fronit shqiptar nga Viktor Emanueli III, ia aneksoi formalisht këto treva Mbretërisë Shqiptare. Ky aneksim u përdor si argument kundër përpjekjes kombëtare shqiptare në vitet në vijim, megjithatë ndryshe nga regjimi fashist serb, fashizmi italian lejoi shkollimin në gjuhën shqipe dhe në masë të caktuar kultivimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Regjimi komunist dhe pushtimi serb
Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje në Konferencën e Bujanit në janar 1944 nuk u morën parasysh nga lojërat politike të komunistëve jugosllavë. Më 1945, forcat komuniste shqiptare hynë në Kosovë duke ndjekur trupat gjermane në tërheqje, por nuk i kushtuan vëmendje çështjes shqiptare në Kosovë dhe lejuan rianeksimin e saj nga Serbia, tani e shpallur republikë anëtare e federatës jugosllave. Qëndresa e armatosur shqiptare, e tradhtuar në të dy anët, nuk arriti t’i bëjë ballë forcave pushtuese serbe ; 44 fshatra u shkatërruan dhe 20.000 civilë u vranë. Ndërkaq, prija e re komuniste e Jugosllavisë, ndonëse në retorikë dhe në propagandë u tregua e butë ndaj popullsisë shqiptare, në praktikë lejoi vazhdimin e po të njëjtës politikë fashiste që zbatohej para luftës.

Pavarësisht kufizimeve politike dhe përndjekjes nga nacionalistët serbë, lëvizjet studentore dhe udhëheqës politikë të Kosovës bënë trysni të vazhdueshme në autoritet jugosllave për përmirësimin e pozitës së kombësisë shqiptare. Më 1968, shpërthyen demonstratat e studentëve shqiptarë, të cilët kërkuan të drejtat e tyre kombëtare, përdorimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar. Një vit më pas u nxor Ligja Kushtetuese e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, ndërsa më 1974 u nxor Kushtetuta e KSA të Kosovës. Kjo e fundit së bashku me Kushtetutën e re të RSFJ-së, ndonëse e lanë Kosovën pjesë përbërëse të Serbisë, e ngritën në nivel të njësisë federale me të drejtë vetoje në organet federative. Në vitet 1970, u themeluan Universiteti i Prishtinës, Akademia e Arteve dhe Shkencave, si dhe radiotelevizioni i Kosovës, institucione këto që i çelën rrugë ngritjes intelektuale e kulturore dhe zhvillim të përgjithshëm të popullsisë shqiptare. Megjithatë, Kosova mbeti treva më e pazhvilluar në mbarë Jugosllavinë, ndërsa kombi shqiptar nuk u njoh me të drejta të barabarta me kombet tjera të federatës dhe mbeti i ndarë në katër njësi federale.

Vdekja më 1980 e Josip Broz Titos, kryetarit të përjetshëm të Jugosllavisë, ngjalli frikë mbi ekzistencën e federatës dhe politikës së “vëllazërim-bashkimit” në mes kombeve dhe kombësive. Orvatjet e vazhdueshme të Serbisë për ta shkatërruar edhe këtë arritje të shqiptarëve provokuan demostratat e vitit 1981, kur u kërkua shpallja e Kosovës republikë në kuadër të federatës jugosllave. Demostratat vazhduan përgjatë viteve ’80 dhe shumë veprimtarë shqiptarë u burgosën dhe të tjerë u detyruan ta lënë vendin. Gjatë viteve '80, Kosova u ndodh në të shumtën e kohës nën shtetrrethim. Më 1982, ndërkaq, u vranë nga shërbimet sekrete serbe në Gjermani tre udhëheqësit e Lëvizjes Popullore, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Më 1987, nacionalistët serbë me udhëheqësin e ri Sllobodan Millosheviq organizuan në Fushë Kosovë një komplot kundër autonomisë së Kosovës dhe popullsisë shqiptare. Agjentët serbë fajësuan shqiptarët për gjoja jetën e vështirë të serbëve në Kosovë dhe sulme të vazhdueshme ndaj pranisë së tyre në këtë trevë. Duke akuzuar shqiptarët se po tentonin të kryenin spastrim etnik, klika millosheviqiane burgosi udhëheqësit shqiptarë dhe skicoi në mënyrë jodemokratike suprimimin e autonomisë më 1989. Forca të armatosura serbe hynë në Kosovë duke e mbajtur atë të pushtuar për dhjetë vjet me radhë.

Shpallja e republikës dhe qëndresa paqësore
Në kushtet e pushtimit serb, më 2 korrik 1990, deputetët e Kuvendit të KSA të Kosovës, të ndaluar të hyjnë në godinën zyrtare, nxorën para dyerve të saj Deklaratën e Pavarësisë, duke e shpallur Kosovën republikë anëtare të federatës jugosllave. Më 7 shtator të po këtij viti, u miratua në Kaçanik Kushtetuta e Republikës, e para kushtetutë demokratike e shtetit kosovar. Në pamundësi për të ushtruar pushtet efektiv dhe e përndjekur nga forcat pushtuese serbe, qeveria e Kosovës u tërhoq në ekzil në Gjermani. Rol kyç në ngjarjet vijuese luajti Lidhja Demokratike e Kosovës, e themeluar më 1987 fillimisht nën udhëheqjen e Jusuf Buxhovit dhe e kryesuar më pas nga Dr. Ibrahim Rugova. Më tetor 1991, u zhvillua referendumi mbarëpopullor që zyrtarisht e shpalli Kosovën të pavarur e sovrane, ndërsa Ibrahim Rugova u zgjodh njëzëri Kryetar i Republikës në zgjedhjet e vitit pasues dhe organizoi rezistencën paqësore kundër pushtimit serb. Gjatë kësaj periudhe, u zhvillua edhe fushata për pajtimin e gjaqeve nën kryesimin e veprimtarit Anton Çetta.

Gjendja e popullsisë shqiptare në Kosovë gjatë viteve ’90 mbeti jashtëzakonisht e vështirë. Gati të gjithë të punësuarit në sektorin publik u dëbuan, u mbyll universiteti dhe shkollat e mesme në gjuhën shqipe, shtypi dhe radiotelevizioni. Për t’u përballur me këtë sfidë, shqiptarët lëshuan shtëpitë e tyre për të zhvilluar arsimin dhe ndihmuan në hapjen e klinikave mjekësore. Ndërkohë, u burgosën, u keqtrajtuan e u vranë me mijëra shqiptarë, ndërsa me qindra e mijëra u detyruan ta lëshojnë vendin dhe të kërkojnë azil në Evropën Perëndimore. Protestat studentore, ndonëse ishin ndërprerë në fillim të ’90-, u rinisën më 1 tetor 1997 të organizuara nga Albin Kurti e Bujar Dugolli dhe vazhduan edhe gjatë vitit 1998, ndërsa policia serbe brutalisht iu kundërpërgjigj kërkesave të shqiptarëve për liri.

Lufta Çlirimtare dhe ndërhyrja veriatlantike
Gjatë viteve ‘90, shoqëritë shqiptare në mërgim u angazhuan për ngritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarët e së cilës u trajnuan në Shqipëri (me mbështetjen e shtetit shqiptar të kryesuar nga Sali Berisha dhe SHIK e kryesuar nga Bashkim Gazidede) dhe u hodhën më pas në territorin kosovar. Dëshmorët e parë të Luftës Çlirimtare, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, ishin ndër drejtuesit e sulmeve të para guerile, pas së cilave UÇK-ja u shfaq botërisht më 28 nëntor 1997. Trazirat e vitit 1997 në Shqipëri dhanë mundësi që arsenali luftarak i depove të ushtrisë shqiptare ti shkonte UÇK-së. Duke përdorur si pretekst ndjekjen e UÇK-së, Serbia intensifikoi terrorin e vet mbi popullsinë shqiptare dhe kreu një numër të madh masakrash mbi civilë në Drenicë më 28 shkurt 1998. Pas dy dështimeve të mëparshme, në mars 1998, forcat serbe rrethuan rezidencën në Prekaz të kryekomandantit shqiptar Adem Jashari, i cili u flijua me armë në dorë bashkë me të vëllanë Hamzën dhe mbi 50 anëtarë të familjes.

 Popullsia civile shqiptare e dëbuar nga shtëpitë e tyre

Luftimet u ashpërsuan gjatë pranverës së vitit 1998 me mësymjen e Dukagjinit dhe gjatë verës me ofensivën serbe dhe masakrat në Rahovec. Më 15 janar 1999, Masakra e Reçakut, e dëshmuar nga misioni vëzhgues i OSBE-së nën udhëheqjen e ambasadorit William Walker, fitoi simpatinë ndërkombëtare për popullin e Kosovës. Në shkurt 1999 në Rambouillet të Francës, u organizuan bisedimet shqiptaro-serbe për t’i dhënë fund luftës. Pala shqiptare nënshkroi marrëveshjen e propozuar nga ndërmjetësuesit ndërkombëtar, kurse serbët refuzuan të nënshkruanin. Në vështrim afatshkurtër, serbët fituan mundësi të shkallëzonin genocidin mbi shqiptarët dhe të zbatonin planet e tyre për spastrim etnik. Shqiptarët, ndërkaq, mbetën të ndarë në dy qeveri dhe dy krahë politikë—atë të luftës dhe UÇK-së dhe atë të rezistencës paqësore të Dr. Rugovës.

Zhvendosja e popullsisë e shkaktuar nga luftimet shënoi kulmin gjatë muajit mars, kur forcat serbe filluan dëbimin me dhunë të shqiptarëve. Gati 1 milion banorë apo gjysma e popullsisë së Kosovës u çatdhesuan; 650,000 gjetën strehë në Shqipëri, me qindra mijëra u hodhën në vagonë mallrash ose u ndrydhën në automjete private gjatë udhëtimit njëjavor në drejtim të Maqedonisë. Me përjashtim të disa viseve urbane, popullsia e mbetur brenda territorit të Kosovës ishte në zhvendosje të pandërprerë dhe nën kërcënim të vazhdueshëm për shfarosje. Në përfundim të luftës, Kosova numëroi gati 15.000 të vrarë, 5.000 të zhdukur, 20.000 vajza e gra të dhunuara dhe dëme të rënda materiale.

Të përballur me dështimin e negociatave për paqe dhe bllokimin e veprimeve multilaterale përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara ndërmorën fushatën për bombardimin e Jugosllavisë në bashkëpunim me Aleancën Veriatlantike, NATO-n. Të shtyrë nga qëllime humanitare, aleatët e NATO-s filluan më 24 mars 1999 sulmet ajrore ndaj caqeve ushtarake jugosllave për 73 ditë me radhë. Gjatë kësaj kohe, UÇK-ja vazhdoi konfrontimet ushtarake me trupat serbe, theu kufirin Shqipëri-Kosovë dhe mori nën kontroll pika strategjike.

Çlirimi, administrimi ndërkombëtar dhe pavarësimi
Më 10 qershor të të njëjtit vit u arrit Marrëveshja e Kumanovës për tërheqjen e forcave serbe dhe hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë. Po ashtu, u kalua në Këshill të Sigurimit të OKB-së Rezoluta 1244, që formalisht e mbajti Kosovën nën sovranitetin e Jugosllavisë, por nën administrim ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara. Të njëjtën ditë, forca ruse hynë në trevën e Kosovës për të shpëtuar makinerinë serbe të ndodhur në Aeroportin e Prishtinës. Një ditë më pas, Ushtria Çlirimtare hyri në kryeqytet, ndërsa trupat serbe u tërhoqën duke i lëshuar vendin forcave aleate. U organizua forca paqeruajtëse e KFOR-it, ku për një kohë bënë pjesët edhe trupat ruse.

 Fishekzjarre në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë

Rindërtimi i pjesshëm i Kosovës u ndihmua nga një mori organizatash ndërkombëtare, të cilat njëherësh ofruan edhe mundësi për punësim për shqiptarët dhe një burim mjetesh financiare. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) filloi punën për vendosjen e sundimit të ligjit dhe për themelimin e institucioneve vetëqeverisëse. Më 2001, UNMIK-u Kornizën Kushtetuese dhe organizoi zgjedhjet e para të lira në historinë e Kosovës. Më 2002, Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Kosovës, ndërsa Bajram Rexhepi kryeministër i parë i pasluftës. Megjithatë, kompetencat kryesore mbetën në duart të UNMIK-ut, i cili i përbërë nga një personel i paaftë, i nënkualifikuar dhe i korruptuar mbajti peng zhvillimin e Kosovës për vite me radhë. Njëherësh, korrupsioni dhe mungesa e efikasitetit ishte e pranishme edhe në institucionet vendore. Çështja e qytetit të ndarë të Mitrovicës dhe provokimet e qarqeve ekstremiste serbe sollën protesta të dhunshme në vitet 1999 dhe 2000 dhe shkaktuan trazirat e marsit 2004, të cilat dëmtuan imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Formimi i enklavave serbe në mes të Kosovës dhe përqendrimi serb në veri vazhdonte të pengonte kthimin e të zhvendosurve, shqiptarë dhe serbë.

Bisedimet për statusin final të Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit rezultuan pa marrëveshje. Kompromisi i ofruar nga pala kosovare parashihte Kosovën si shtet të pavarur shumetnik, si pikë në mes të bashkimit me Shqipërinë ose mbetjen nën Serbi, kurse pala serbe propozoi disa versione të ndryshme për autonomi. Kombet e Bashkuara, në ndërkohë, dërguan përfaqësues të tyre ish-kryetarin finlandez Martti Ahtisaari, i cili nxori më 2007 Planin Gjithëpërfshirës, ku parashihej pavarësi e mbikëqyrur me të drejta të zgjeruara për pakicat, sidomos serbët. Në bazë të këtij plani dhe duke u thirrur në Rezolutën 1244, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Kostarika dhe Afganistani ishin vendet e para që e njohën pavarësinë e Kosovës, të përcjella nga Shqipëria, SHBA-të, Britania, Gjermania dhe Franca. Kushtetuta e Republikës u miratua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008, kur edhe u bë transferimi i plotë i kompetencave prej UNMIK-ut në institucionet vendore. Gjithashtu u nënshkrua më 9 shkurt 2008 marrëveshja me Bashkimin Evropian për deplikimit e misionit për sundimit e ligjit, EULEX, si dhe u parapa themelimi i Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Wikipedia & MP/LM