KULTURA NË KOSOVË


Kultura në Kosovë
Kultura kosovare ngërthen në vete kulturën e kombit shqiptar, si trashëguese të kulturës vendëse ilire, të ndikuar më vonë kryesisht nga kultura romake dhe osmane e më pak nga ajo sllave. Përcaktimi kulturor kosovar është perëndimor, mirëpo ruan në vete elemente konservatore evropiane dhe disa veti të kulturës lindore, të përfituara nga shekujt e sundimit osman. Ndikimi i thellë vërehet sidomos nga e drejta dokesore e shqiptarëve, e përkufizuar nga katër parime—nderin vetjak, barazinë e vetëve, lirinë e veprimit në kuadër të ligjit, si dhe besën.

Letërsia dhe artet
Letërsia në Kosovë nis me librin kishtar Meshari, të parin libër të botuar në gjuhën shqipe nga Gjon Buzuku, me prejardhje nga krahina e Hasit. Andre Bogdani botoi gramatikën e parë të gjuhës shqipe, mirëpo kjo vepër humbi gjatë luftimeve kundër osmanëve dhe për të mësohet vetëm nga shkrimet e nipit Pjetër Bogdani, autor i Çetës së Profetëve, kryevepër e letërsisë së vjetër shqiptare.

Zhvillmi i letërsisë në Kosovë nuk arriti nivel të duhur deri pas Luftës së Dytë Botërore, kur themelimi i shtëpisë botuese Rilindja hapi rrugët për botimin e një morie veprash letrare. Esad Mekuli konsiderohet si nismëtari i letërsisë moderne në Kosovë. Në prozë u dalluan Anton Pashku, Anton Çetta, Nazmi Rrahmani, Zejnullah Rrahmani, Rexhep Qosja, Sinan Hasani etj. Prej poetëve më të përmendur janë Ali Podrimja, Azem Shkreli, Sabri Hamiti, Jeton Kelmendi, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj etj. Autorët bashkëkohorë kosovarë kryesisht trajtojnë tema të lëvizjes kombëtare, transformimit shoqëror, mërgimit, si dhe luftës e pavarësisë.

Kosova ka edhe katër teatre kombëtare dhe profesioniste, të cilët numërojnë 65 punëtorë dhe rreth 18.440 spektatorë në vit. Njëherësh, funksionojnë edhe 21 teatre amatore si dhe teatri i fëmijëve. Ndonëse popullariteti i teatrit ka rënë në vitet e fundit, gjatë vitit 2006 u dhanë 612 shfaqje teatrale, ndërsa arte tjera si baleti u vunë në skenë vetëm një herë. Më popullore ishin koncertet, prej të cilave u dhanë 117 dhe mblodhën rreth 100 mijë spektatorë. Në galeri arti u organizuan 109 ekspozita.

Mediat popullore
Më 2006, 14 kinematë e vendit mblodhën 56.791 shikues, kryesisht për filma të huaj, përderisa industria vendore e filmit vuan nga mungesa e sasisë, por edhe cilësisë. Megjithatë, në Kosovë janë nxjerrë prodhime cilësore si Era dhe Lisi i regjisorit Isa Qosja, Njeriu prej Dheut dhe Vjeshta e Trëndafilave të Agim Sopit etj.

Më popullore janë serialit e prodhimit vendor dhe të huaj. Kafeneja Jonë, e drejtuar nga veterani Adem Mikullovci, dhe Familja Moderne, me skenariste Visare Aliun dhe regjisor Fatos Berishën, kanë grumbulluar filmbërësit dhe artistët më të suksesshëm të vendit dhe kanë arritur shikueshmëri rekorde, ndonëse vazhdojnë të kritokohet për mungesë të punës profesionale dhe për përmbajtje.

Në Kosovë veprojnë katër televizione me licensë për transmetim mbarëkombëtar, Radiotelevizioni Publik i Kosovës, Radiotelevizioni 21, KohaVision dhe Klan Kosova. Veç tyre, ka edhe një numër televizionesh vendore e kombëtare që transmetojnë përmes sistemeve kabllore.